Menu

Promovohet libri “Kujtesa e Trepçës”

Në Mitrovicë promovohet libri “Kujtesa e Trepçës – 100 rrëfime të punëtorëve të Trepçës”

Në hapësirat e Universitetit “Isa Boletini” nën organizimin e organizatës 7Arte sot është bërë promovimi i librit “Kujtesa e Trepçës – 100 rrëfime të punëtorve të Trepçës”.

Kjo përmbledhje e rrëfimeve është fryt i rrëfimeve të sinqerta, autentike e plot pasion të 100 punëtorëve të Trepçës si dhe rezultat i një pune 1 vjeçare të organizatës 7Arte dhe Departamentit të Antropologjisë dhe Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës.

Të pranishëm në këtë promovim libri ishin, nënkryetari i komunës, z. Arian Tahiri, drejtoresha e DKRS-së, znj. Valdete Idrizi, rektori i Universitetit, “Isa Boletini” , z. Alush Musaj, ish kryetari i komunës se Mitrovicës, z. Avni Kastrati, ish drejtori i minierës “Trepça”, z. Burhan Kavaja, drejtori i OJQ-së 7 Arte z. Lulzim Hoti, Mentori i projektit Prof. Dr. Arsim Canolli, hulumtueset shkencore që kontribuan në mbledhjen e rrëfimeve, protagonistët e rrëfimeve, historianë, artistë, profesorë, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.

Në fjalën e tij, drejtori i organizatës 7 Arte z.Lulzim Hoti falenderoi të gjithë ata që kontribuan në arritjen e këtij suksesi duke shtuar se ky vëllim librash do të shërbejë si bazë e mirë brezave të ardhshëm dhe hulumtimeve të tjera rreth Trepçës, si vlerë e trashëgimisë kulturore e Mitrovicës. Ndër të tjera inkurajoi edhe ndërtimin e një Muzeu për Trepçën i cili do të shërbente për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Mitrovicës.

Në fund të këtij evenimenti historik, prof Dr. Arsim Canolli shpalosi pjesë të historisë së rrëfimeve të punëtorëve të Trepçës që i transmetuan në intervista, duke i falenderuar për rrëfimet për punën e tyre të palodhshme, për vullnetin e qëndrueshmërinë, për rrëfimet e grevave dhe burgosjet, për rezistencën kundër regjimit të Serbisë, për rrëfimet për kohën e anglezëve, nazistëve, për rrëfimet për kohën e inxhinierit të parë z.Minir Dushit, të drejtorëve të dashur si Aziz Abrashi e Burhan Kavaja e me radhë.

Fjalime rasti mbajtën edhe nënkryetari Arian Tahiri dhe rektori Alush Musaj, z. Burhan Kavaja dhe z.Bajram Mustafa si dhe hulumtuesja Znj.Greta Avdyli të cilët vlerësuan lart nismën dhe botimin e librit Kujtesa e Trepçës.

Ky projekt u mbështet falë përkrahjes financiare të Zyrës Zvicerane për bashkëpunim në Kosovë.

Share this Post!

About the Author : 7 Arte


Related post

  TOP