Menu

Lansimi i projektit “Vizionimi i hapësirave industriale të Mitrovicës”

Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u lansua projekti “Vizionimi i hapësirave industriale të Mitrovicës” në kuadër të së cilit po mblidhen rrëfime të 100 punëtorëve të Trepçës, nën titullin “Kujtesa e Trepçës”. Synimi kyç i këtij projekti është mbledhja e dokumentimi i materialeve audio-vizuele të cilat do i shërbenin ndërtimit të një narracioni të munguar për rolin dhe rëndësinë e kombinatit Trepça përgjatë zhvillimit të saj.

“Synimi i kësaj pune të madhe është me e dokumentu kujtesën sociale të kombinatit Trepça, kujtesë kjo nga minatorët e Trepçës, por edhe e të gjithë punëtorëve të tjerë që kanë punu në Trepçë”, theksoi mentori i projektit Arsim Canolli i cili ndër të tjera shprehu kënaqësinë e bashkëudhëtimit në këtë projekt me organizatën 7 Arte për të shpalosur historinë sociale të Trepçës e cila deri më tani sipas tij është ende disi e panjohur për shumicën.

Njëra nga hulumtueset e përfshira në këtë projekt, Greta Avdyli, vuri në pah rëndësinë e dokumentimit të historisë, ngase sipas saj çka do që nuk dokumentohet harrohet, dhe se këto dokumentime do t’iu shërbenin gjeneratave të ardhshme të cilët kanë shumë pak informata se çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Ideja e projektit “Kujtesa Trepçës” sipas Avdylit është që punëtorët e Trepçës mos me i pa thjeshtë si punëtorë, ngase sipas saj “ata kanë qenë shumë më shumë se aq, është një jetë, një kulturë, një zhvillim social i tanë që ka ndodhë në minierë, por edhe në zyret e Kombinatit Trepça”.

“Gjatë kësaj konference, 7Arte ngriti nevojën e themelimit të një muzeu industrial, dedikuar kombinatit Trepça”

Ndër të tjera, Lulzim Hoti shtoi se mbesin me shpresën se në bashkëpunim me institucionet relevante do të realizojnë botimin e këtyre rrëfimeve në vëllime librash dhe se kjo nismë e kësaj natyre do të vazhdoj me mbledhjen dhe dokumentimin e mëtejshëm.

Ky projekt implementohet nga organizata 7Arte në bashkëpunim me Fakultetin e Filozofisë, Departamenti i Antropologjisë, nën mentorimin e Arsim Canollit. Ndërsa është mbështetur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.

Share this Post!

About the Author : 7 Arte


Related post

  TOP